Superstrada Tiranë-Durrës bllokohet përkohësisht, kufizime gjatë dy netëve për montimin e trarëve
Qarkullimi në superstradën Tiranë-Durrës do të kufizohet përkohësisht gjatë netëve të 21 dhe 22 shtatorit, për shkak të punimeve që po kryhen në kuadër të zgjerimit të aksit.
Bllokimet do të aplikohen nga ora 23:00 deri në 05:00, fillimisht në drejtimin Tiranë-Durrës dhe më pas në drejtimin Durrës-Tiranë.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, më 21 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të ndërpritet qarkullimi në drejtimin Tiranë-Durrës për montimin e trarëve tërthorë në hapësirën e mesit të mbikalimit.
Gjatë këtij intervali, trafiku do të devijohet përmes rampës në drejtim të Rinasit dhe më pas në rrugën dytësore, për t’u rikthyer në superstradë përmes rrugës dhe rampës së Rinasit në drejtim të Durrësit.
Për mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, ARRSH rekomandon devijimin që nga rrethrrotullimi i Casa Italia, në mënyrë që të shmanget përdorimi i rampës provizore të Rinasit.
Më 22 shtator bllokohet drejtimi Durrës-Tiranë
Natën e 22 shtatorit, po nga ora 23:00 deri në 05:00, qarkullimi do të ndërpritet në drejtimin Durrës-Tiranë. Trafiku do të devijohet përmes mbikalimit Kashar-Thumanë, duke vijuar në rrugën dytësore deri pas mbikalimit të Kasharit, ku automjetet do të rikthehen në autostradë në drejtim të Tiranës.
Automjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën do të sinjalizohen dhe orientohen që në mbikalimin Kashar-Thumanë për të vijuar drejt destinacioneve përkatëse.
ARRSH u kërkon drejtuesve të mjeteve të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, kur është e mundur, të shmangin segmentin gjatë orarit të zhvillimit të punimeve.